Nine Marks of a Healthy Church/Biblical Church Discipline/sq

From Gospel Translations

Jump to:navigation, search

Related resources
More By
Author Index
More About
Topic Index
About this resource

©

Share this
Our Mission
This resource is published by Gospel Translations, an online ministry that exists to make gospel-centered books and articles available for free in every nation and language.

Learn more (English).

By About

Perëndia kërkon shenjtëri

Shenja e shtatë e një kishe të shëndetshme është praktikimi i rregullt i disiplinës kishtare. Një praktikim biblik i disiplinës kishtare i jep kuptim të qenit anëtar i kishës. Megjithëse ajo është praktikuar gjerësisht nga kishat që nga koha e Krishtit, tashmë është zbehur shumë në jetën e rregullt të kishës ungjillore në brezat e fundit.

Ne njerëzit jemi krijuar fillimisht për të paraqitur imazhin e Perëndisë, për të qenë dëshmitarë të karakterit të Perëndisë para krijimit të Tij (Zanafilla 1:27). Prandaj nuk është çudi që në gjithë Dhiatën e Vjetër, ndërkohë që Perëndia përgatiti një popull për veten e Tij, ai iu dha atyre njerëzve udhëzime në shenjtëri, në mënyrë që karakteri i tyre të përafrohej me të Tijin (shihni te Levitiku 19:2; Fjalët e Urta 24:1, 25). Kjo ishte baza për korrigjimin dhe madje përjashtimin e disa vetave nga komuniteti në Dhiatën e Vjetër (si te Numrat 15:30-31), dhe kjo është bazae dhe për trajtën që i duhet dhënë kishës së Dhiatës së Re (shihni te 2Korintasve 6:14-7:1; 13:2; 1Timoteut 6:3-5; 2Timoteut 3:1-5).

Gjykimi

Megjithatë, kjo ide u duket njerëzve sot shumë negative. Fundja, a nuk e ndaloi vetë Zoti Jezus gjykimin e të tjerëve te Mateu 7:1? Sigurisht, në njëfarë kuptimi Jezusi e ndaloi gjykimin te Mateu 7:1; por në po atë ungjill, Jezusi gjithashtu na thërret shumë qartë për t’i qortuar të tjerët për mëkatin, deri në masën e qortimit të tyre publikisht (Mateu 18:15-17; krs. Lluka 17:3). Prandaj, cilido të ketë qenë kuptimi i fjalëve të Jezusit kur ai e ndaloi gjykimin te Mateu 7:1, ai sigurisht nuk ka dashur të përjashtojë çdo gjë që nënkuptohet nga fjala “gjykim”.

Vetë Perëndia është gjykatës. Ai ishte në Kopshtin e Edenit dhe ne mbetemi nën gjykimin e Tij të drejtë për aq kohë sa mbetemi në mëkatet tona. Në Dhiatën e Vjetër, Perëndia i ka gjykuar si kombet ashtu edhe individët, dhe në Dhiatën e Re ne të krishterët paralajmërohemi se veprat tona do të gjykohen (shihni te 1Korintasve 3). Në dashuri, Perëndia i disiplinon fëmijët e Tij, dhe në zemërim, Ai do t’i dënojë të paperëndishmit (shihni te Hebrenjve 12). Natyrisht, në ditën e fundit, Perëndia do ta zbulojë Veten si Gjykatës suprem (shihni te Zbulesa 20). Në gjithë këtë gjykim, Perëndia nuk gabon kurrë, dhe Ai është gjithnjë i drejtë (shihni te Jozueu 7; Mateu 23; Lluka 2: Veprat 5; Romakëve 9).

Perëndia pret që kisha të gjykojë

Shumë vetë sot habiten kur mësojnë se Perëndia kërkon që edhe të tjerët të gjykojnë. Shtetit i është dhënë përgjegjësia për të gjykuar (shihni te Romakëve 13). Neve na thuhet që të gjykojmë veten tonë (shihni te 1Korintasve 11:28; Hebrenjve 4; 2Pjetrit 1:5). Gjithashtu na thuhet që të gjykojmë njëri-tjetrin në kishë (megjithëse jo në mënyrën përfundimtare si gjykon Perëndia). Fjalët e Jezusit te Mateu 18, të Palit te 1Korintasve 5-6, dhe shumë pasazhe të tjera tregojnë qartë se kisha duhet të ushtrojë gjykim brenda vetvetes dhe se ky gjykim është për qëllime shpenguese, jo hakmarrëse (Romakëve 12:19). Në rastin e njeriut kurorëshkelës në Korint dhe të mësuesve të rremë në Efes, Pali thotë se ata duhen përjashtuar nga kisha dhe i duhen dorëzuar Satanit, në mënyrë që të mësojnë më mirë dhe kështu shpirtrat e tyre të mund të shpëtohen (shihni te 1Korintasve 5; 1Timoteut 1).

Prandaj nuk është për t’u habitur që duhet të udhëzohemi për të gjykuar. Fundja, nëse nuk mund të themi se si nuk duhet të jetojë një i krishterë, si mund të themi se si duhet të jetojë? Një nga shqetësimet e mia për shumë programe të dishepullizimit nëpër kisha është se ato ngjasojnë me hedhjen e ujit në kova të shpuara – gjithë vëmendja i kushtohet asaj që hidhet brenda, pa menduar për mënyrën se si merret dhe ruhet ajo.

Mbyllni derën e përparme, hapni derën e pasme

Një autor që shkruan për rritjen e kishës e ka përmbledhur kështu këshillën e tij për ta ndihmuar kishën të rritet: “Hapni derën e përparme dhe mbyllni derën e pasme”. Me këtë, ai po thotë se duhet të punojmë që ta bëjmë kishën më të hapur për njerëzit dhe të bëjmë një punë më të mirë vijuese me ta. Të dy këto qëllime janë të mira. Megjithatë, shumica e pastorëve sot synojnë tashmë të kenë kisha me dyer të tilla të përparme të hapura dhe me dyer të pasme të mbyllura. Por, përpjekja për të ndjekur modelin biblik duhet të na çojë te kjo strategji: “Të mbyllim derën e përparme dhe të hapim derën e pasme”. Me fjalë të tjera, ta bëjmë më të vështirë për njerëzit të bashkohen me kishën nga njëra anë dhe më të lehtë për t’u përjashtuar nga ana tjetër. Veprime të tilla do ta ndihmojnë kishën që të rifitojë veçantinë e saj tërheqëse dhe të caktuar nga Perëndia, e cila e dallon nga bota.

Sillni anëtarë të rinj

Kjo disiplinë duhet të reflektohet së pari, në mënyrën se si ne si kisha i pranojmë anëtarët e rinj. A interesohemi më parë që ata që bëhen anëtarë të njihen se po jetojnë një jetë që e nderon Krishtin? A e kuptojmë seriozitetin e përkushtimit që ne po bëjmë ndaj tyre dhe të përkushtimit që ata po bëjnë ndaj nesh? Nëse jemi më të kujdesshëm rreth mënyrës se si i njohim dhe i pranojmë anëtarët e rinj, ne do të kemi më pak raste kur do të na duhet të praktikojmë disiplinën kishtare korrigjuese më vonë.

Ushtrimi i disiplinës me përgjegjësi

Natyrisht, çdo lloj disipline kishtare mund të ushtrohet në mënyrë të gabuar. në Dhiatën e Re, neve na thuhet që të mos i gjykojmë të tjerët për motivet që u atribuojmë atyre (shihni te Mateu 7:1), ose të mos e gjykojmë njëri-tjetrin për çështje që nuk janë thelbësore (shihni te Romakëve 14-15). Kjo çështje është e mbushur me probleme në zbatimin pastoral, por ne duhet të kujtojmë se gjithë jeta e krishterë është e vështirë dhe e hapur ndaj abuzimit. Vështirësitë tona nuk duhen përdorur si një shfajësim për ta lënë ndonjërën prej tyre të papraktikuar. Çdo kishë lokale ka një përgjegjësi për ta gjykuar jetën dhe mësimin e udhëheqësve të saj, dhe madje edhe të anëtarëve të saj, sidomos në rastin kur kjo gjë komprometon dëshminë e kishës për ungjillin (shihni te Veprat 17; 1Korintasve 5; 1Timoteut 3; Jakobi 3:1; 2Pjetrit 3; 2Gjonit).

Pesë arsye për disiplinën korrigjuese

Disiplina kishtare biblike është bindje e thjeshtë ndaj Perëndisë dhe një rrëfim i thjeshtë se ne kemi nevojë për ndihmë. Këtu kemi pesë arsye pozitive për një disiplinë të tillë kishtare korrigjuese. Qëllimi i saj është pozitiv (1) për individin e disiplinuar, (2) për të krishterët e tjerë kur ata shohin rrezikun e mëkatit, (3) për shëndetin e kishës në tërësi dhe (4) për dëshminë e përbashkët të kishës. Mbi të gjitha, (5) shenjtëria jonë duhet të reflektojë shenjtërinë e Perëndisë. Duhet të ketë një kuptim që të jesh anëtar i kishës, jo për hir të krenarisë sonë, por për hir të emrit të Perëndisë. Disiplina kishtare biblike është një shenjë tjetër e kishës së shëndetshme.

Pyetje për reflektim

  1. Lexoni te Gjoni 5:27-30. Kujt i ka dhënë Ati autoritet për të gjykuar? Tani lexoni te Mateu 18:15-17. Kujt i ka deleguar autoritet Jezusi për të gjykuar në këtë botë? A e ka administruar kisha besnikërisht këtë porosi që na ka dhënë Zoti?
  2. Lexoni 1Korintasve 5:1-2. Çfarë veprimi, thotë Pali, duhet të kishte ndërmarrë kisha e Korintit në lidhje me anëtarin mëkatar? Tani lexoni vargjet 3-5. Me autoritetin e kujt (në emër të kujt) duhet të veprojë kisha? Cila është shpresa përfundimtare e një veprimi të tillë? A mendoni se Pali e konceptonte disiplinën e kishës si një veprim të pashpirt dhe mizor, apo si një veprim të kryer me dashuri që do t’i sillte përfitim shpirtit të personit?
  3. Një autor ka thënë se të krishterët duhet “Të hapin derën e përparme të kishës dhe të mbyllin derën e pasme”. Çfarë kuptimi ka kjo deklaratë? Autori i këtij libri thotë se në vend të kësaj ne duhet “Të mbyllim derën e përparme dhe të hapim derën e pasme.” Cila prej tyre mendoni se është një ide më biblike? Sipas mendimit tuaj, cila ide do të çonte më shpejt drejt një anëtarësie kishtare të shëndetshme?
  4. Lexoni Romakëve 14:1-4. Cilat janë disa nga mënyrat se si disiplina e kishës mund të jetë e hapur ndaj abuzimit? Kaloni pak kohë duke menduar rreth mënyrës se si kisha juaj mund të përmbushë besnikërisht dhe me kujdes porosinë e Zotit tonë dhënë te Mateu 18:15-17, ndërkohë që qëndron vigjilente ndaj abuzimeve.
Navigation
Volunteer Tools
Other Wikis
Toolbox